Autoritetet izraelite kanë urdhëruar bllokimin e televizioneve Al Jazeera me seli në Katar dhe Al-Mayadeen me seli në Liban në platformat dixhitale, ekranet televizive dhe YouTube, transmeton Anadolu.
Ndalimi i nënshkruar nga ministri izraelit i Komunikimit, Shlomo Karhi dhe i njoftuar të dielën, u ndalon kompanive të transmetimit dhe internetit si dhe YouTube, të ofrojnë shërbime për Al Jazeera dhe Al-Mayadeen brenda Izraelit.
“Nga sot, ato (Al Jazeera) dhe Al-Mayadeen do të bllokohen në Izrael si në faqet e tyre të internetit, në televizion ashtu edhe në YouTube!. Dhe sipas gjykimit të ministrit të Mbrojtjes do të jetë e mundur edhe ndërprerja e tyre në satelit”, tha Karhi në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Karhi tha se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe qeveria miratuan ndalimin e zgjeruar, duke cituar një ligj të ndryshuar që ai tha se e mundësoi këtë veprim. Ai shtoi se Al Jazeera tashmë ishte bllokuar “pothuajse plotësisht” sipas legjislacionit të rishikuar.
Sipas të përditshmes izraelite “Haaretz”, vendimi do të mbetet në fuqi për 90 ditë. Gazeta tha se masat zgjerojnë kufizimet e vendosura më shumë se dy vjet më parë sipas asaj që njihet si “ligji i Al Jazeerës”, i cili ndalon transmetimin e dy kanaleve brenda Izraelit.
“Haaretz” tha se Parlamenti izraelit (Knesseti) muajin e kaluar miratoi një amendament që i lejon ministrit të komunikimit të mbyllë mediat e huaja pavarësisht nëse është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Sipas ligjit, nëse kryeministri bazuar në vlerësimet e sigurisë përcakton se një transmetues i huaj dëmton sigurinë shtetërore, ministri i Komunikimit mund të lëshojë urdhra që i nënshtrohen miratimit të kabinetit. Masat mund të përfshijnë ndalimin e transmetimeve, mbylljen e zyrave, konfiskimin e pajisjeve dhe bllokimin e faqeve të internetit.
Izraeli ndaloi Al-Mayadeen, të cilin e përshkruan si të lidhur me Hezbollahun, të vepronte në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze në nëntor 2023. Në maj 2024, në kulmin e luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, Tel Avivi ndaloi Al Jazeerën të vepronte, një vendim që është zgjatur vazhdimisht mbi mbulimin e rrjetit të sulmit vdekjeprurës.
Më shumë se 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë janë vrarë dhe mbi 171 mijë të tjerë janë plagosur në luftën brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, e cila e ka lënë edhe enklavën në rrënoja. OKB-ja vlerëson koston e rindërtimit të Gazës në rreth 70 miliardë dollarë.
Izraeli ka pushtuar territorin palestinez dhe pjesë të Sirisë dhe Libanit për dekada të tëra dhe kundërshton tërheqjen ose krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij përgjatë linjave para vitit 1967.
