Qeveria izraelite publikoi dhe më pas fshiu një postim në rrjetin social X ku shprehte ngushëllimet për vdekjen e Papa Françeskut, pa dhënë ndonjë shpjegim për arsyen e këtij veprimi. Megjithatë, sipas gazetës “The Jerusalem Post”, ky vendim mund të lidhet me kritikat që Papa kishte bërë ndaj luftës së Izraelit në Gaza.
Llogaria zyrtare @Israel kishte postuar të hënën një mesazh që shkruante: “Pusho në paqe, Papa Françesku. Qoftë kujtimi i tij një bekim”, së bashku me një imazh të Papës duke vizituar Murin e Lotëve në Jeruzalem.
Sipas burimeve të ministrisë së jashtme izraelite, të cituara nga “The Jerusalem Post”, Papa kishte bërë “deklarata kundër Izraelit” dhe postimi ishte publikuar “gabimisht”.
Papa Françesku, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare, kishte sugjeruar në nëntor të vitit të kaluar që komuniteti ndërkombëtar të shqyrtonte nëse fushata ushtarake e Izraelit në Gaza përbën gjenocid ndaj popullit palestinez – një ndër kritikat më të drejtpërdrejta që ai kishte bërë ndaj veprimeve izraelite që nga fillimi i luftës me Hamasin në tetor 2023.