Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli miraton planin për legalizimin e 19 vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Izraeli miraton planin për legalizimin e 19 vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për të legalizuar 19 vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kabinetit të mbajtur të enjten vonë, kur ministri i Financave Bezalel Smotrich paraqiti propozimin për të formalizuar 19 vendbanime në Bregun Perëndimor.

Midis vendbanimeve të përmendura ishin Ganim dhe Kadim, të cilat u evakuuan në vitin 2005 si pjesë e planit të Izraelit për shkëputje që përfshinte edhe largimin e vendbanimeve nga Rripi i Gazës, raportoi Channel 14.

Channel 14 raportoi se vendimi shënon “kthim të plotë” në vendbanimet në Bregun Perëndimor verior, duke iu referuar zonës me emrin e saj biblik, Judea dhe Samaria. Media e përshkroi këtë veprim si ndryshim të madh në politikën e vendbanimeve dhe tha se ishte nxitur nga Smotrich.

Thuhet se një proces i përshpejtuar planifikimi do të fillojë tani për të zbatuar vendimin politik për të krijuar dhe legalizuar vendbanimet, në përputhje me miratimin e Kabinetit.

Grupi i krahut të majtë izraelit “Paqja Tani” thotë se rreth 500 mijë kolonë të paligjshëm izraelitë jetojnë në vendbanime në të gjithë Bregun Perëndimor ndërsa 250 mijë të tjerë jetojnë në vendbanime të ndërtuara në tokë në Kudsin Lindor të pushtuar.

Zgjerimi dhe aneksimi formal i Bregut Perëndimor do t’i jepte fund në mënyrë efektive mundësisë së zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete një shtet izraelit dhe një shtet palestinez siç përcaktohet në rezolutat e OKB-së.

Izraeli u krijua në vitin 1948 në tokën palestineze dhe më vonë pushtoi territoret e mbetura palestineze. Qeveritë e njëpasnjëshme izraelite kanë refuzuar tërheqjen dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Exit mobile version