Izraeli vazhdon të mbajë gjendje gatishmërie maksimale në pritje të një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Iranit, mes frikës nga sulmet hakmarrëse nga Teherani, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik KAN tha se Izraeli është në “gatishmëri maksimale” për më shumë se një javë për shkak të mundësisë së veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit. “Teherani mund t’i përgjigjet çdo sulmi amerikan duke u përpjekur të shënjestrojë Izraelin”, tha shefi i Komandës Veriore, gjeneral major Rafi Milo, në komentet e transmetuara nga Channel 12.
“Forcat amerikane janë vendosur në rajonin e Gjirit (Arabik), pa një qartësi të plotë mbi hapat e mëtejshëm”, shtoi ai. Tensionet janë rritur midis Washingtonit dhe Teheranit që kur protestat antiqeveritare shpërthyen në të gjithë Iranin muajin e kaluar.
Media amerikane tha se aeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln” dhe tre shkatërrues shoqërues mbërritën të premten në Oqeanin Indian në rrugë drejt Gjirit të Omanit në pritje të një sulmi amerikan ndaj Iranit.
Të shtunën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump konfirmoi raportet, duke thënë se një “armadë” amerikane po shkon drejt Lindjes së Mesme dhe se Washingtoni po monitoron nga afër situatën në Iran.
Administrata amerikane thotë se të gjitha opsionet, përfshirë veprimet ushtarake, mbeten në tryezë në marrëdhëniet me Teheranin ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli kërkojnë të ndryshojnë sistemin qeverisës të Iranit.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo sulm i SHBA-së do të shkaktonte përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”. Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, duke shkaktuar sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa nga Teherani përpara se Washingtoni të shpallte armëpushim.
