Ushtria izraelite ka kryer një sulm me dron në qendër të Gazës, duke pasur në shënjestër “disa palestinezë të armatosur”, raporton The Times of Israel, duke cituar një burim ushtarak izraelit anonim.
Sipas burimit, disa nga të vrarët ishin “operativë të Hamasit, të cilët u panë pranë kamionëve me ndihma humanitare”.
Por Zyra e Medias së Qeverisë në Gaza ka konfirmuar se gjashtë persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Deir al-Balah, duke mohuar kategorikisht se ata ishin pjesëtarë të Hamasit. Sipas Anadolu Agency dhe Middle East Monitor, zyra deklaroi se viktimat ishin “ekipe të sigurisë dhe mbrojtjes së ndihmave … që po kryenin detyra tërësisht humanitare”.
Deklarata sqaroi se ata po shoqëronin dy kamionë me barna dhe materiale mjekësore për spitalet në zonat e shkatërruara, dhe theksoi se “sulmimi i tyre është një krim i mirëfilltë”.
Ky version i ngjarjes thekson edhe njëherë dallimet e thella mes narrativës izraelite dhe asaj palestineze, në një konflikt që po merr gjithnjë e më shumë jetë njerëzish, përfshirë ata që përpiqen të ndihmojnë më të prekurit.