Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraelitët dalin në rrugë në Tel Aviv, kërkojnë marrëveshje për shkëmbimin e...

Izraelitët dalin në rrugë në Tel Aviv, kërkojnë marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin

Dhjetëra izraelitë u mblodhën para selisë së Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv për të kërkuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin, transmeton Anadolu.

Siç raportoi radioja e ushtrisë izraelite, rreth 100 persona demonstruan para Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv, duke kërkuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Sipas medias izraelite Yedioth Ahronoth, protestuesit mbanin flamuj izraelitë dhe fotografi të pengjeve, ndërsa ata u tubuan gjatë një takimi të Këshillit të Luftës, ndjekur nga një takim i Komitetit Ministror për Çështjet Kombëtare dhe Sigurisë.

Katari, Egjipti dhe SHBA-ja po përpiqen të arrijnë një marrëveshje shkëmbimi pengjesh dhe një armëpushim në Gaza, pasi paraprakisht pauza e parë zgjati vetëm një javë në fund të nëntorit të vitit të kaluar, gjë që rezultoi në hyrjen e ndihmave të kufizuara në Rripin e Gazës, si dhe në shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë të burgosur në burgjet izraelite.

Tel Avivi aktualisht mban të paktën 9.100 të burgosur palestinezë në burgjet e tij, ndërsa vlerësohet se rreth 134 pengje izraelite mbahen në Gaza. Hamasi ka njoftuar vdekjen e 70 prej tyre në sulme të rastësishme ajrore izraelite.

Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.

Të paktën 35.200 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i sulmit izraelit në Gaza në tetor të vitit të kaluar, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.200 të tjerë janë plagosur.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë gjenocid dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Exit mobile version