Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraelitët provokojnë sërish, djegin Kuranin në prag të Ramazanit…

Izraelitët provokojnë sërish, djegin Kuranin në prag të Ramazanit…

Gjithsesi, hiri i një libri të djegur nuk mund ta mposhtë kurrë dritën e besimit që ai përfaqëson

Akti i fundit i një koloni ekstremist izraelit në Jerusalem, i cili dogji publikisht një kopje të Kuranit të Shenjtë, nuk është thjesht një provokim fetar. është një dëshmi e qartë e një inferioriteti moral dhe kulturor që kërkon vetëpohim përmes shkatërrimit të tjetrit.

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, ky gjest i shëmtuar shpërfaq një mentalitet radikal që ushqehet me urrejtje dhe mungesë totale respekti për vlerat universale njerëzore. Djegia e një libri, pavarësisht sa “triumfues” mund të shfaqet autori në video, mbetet gjithmonë arma e fundit e atij që nuk ka argumente intelektuale apo morale.

Deputeti arab i Knessetit, Ahmad Tibi, e cilësoi me të drejtë këtë individ si pjesë të radhëve me qasje neonaziste, duke vënë në dukje se ky ekstremizëm shpesh kalon pa u ndëshkuar, duke krijuar një ndjenjë të rrezikshme paprekshmërie.

Kur një individ thotë me cinizëm se e vlerëson Kuranin vetëm kur ai është duke u djegur “sure pas sureje”, ai nuk po godet fenë islame, por po ekspozon varfërinë e tij shpirtërore dhe dështimin për të pranuar ekzistencën e tjetrit.

Zgjedhja e kohës së këtij gjesti të ndyrë, vetëm pak ditë para fillimit të Ramazanit, tregon një qëllim të pastër për të nxitur tension dhe për të fyer miliona besimtarë në mbarë botën në momentin e tyre më të ndjeshëm shpirtëror.

Ndërkohë që bota islame përgatitet për një muaj reflektimi, paqeje dhe sakrifice, akte të tilla tentojnë të prishin harmoninë dhe të provokojnë reagime, duke vërtetuar se forca e vërtetë nuk qëndron tek zjarri, por tek durimi.

Nga ana tjetër heshtja e autoriteteve izraelite ndaj këtyre skenave, vetëm sa përforcon ndjenjën e padrejtësisë, duke treguar se radikalizmi po gjen terren të lirë. Kjo ngjarje, është një rikujtesë e hidhur se inferioriteti maskohet shpesh pas petkut të arrogancës. Gjithsesi, hiri i një libri të djegur nuk mund ta mposhtë kurrë dritën e besimit që ai përfaqëson. /tesheshi.

Exit mobile version