Kamberi përplaset sërish me Vuçiqin: Po negocioni me njerëz, familjarët e të cilëve janë vrarë nga paramilitarët serbë

Shaip Kamberi

Derisa presidenti serb, Aleskandar Vuçiq, po raportonte sot para deputetëve në Kuvendin e Serbisë, lidhur me ecurinë e dialogut me Kosovën, ishte pikërisht Shaip Kamberi i cili sërish ua tha në fytyrë të gjithëve për krimet që i kanë kryer mbi civilët shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuara-SDA” në Kuvendin e Serbisë, sërish ka debatuar për çështjet për të cilat Serbia heziton t’i diskutojë, transmeton Telegrafi.

“Si pjesëtarë i popullit shqiptar, e shoh perspektivën në BE, por edhe në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Formula e bashkëjetesës së popujve të Ballkanit është mirëkuptimi, gjithçka tjetër çon drejt konflikteve të përgjakshme. Konsideroj që dialogu në Bruksel është mekanizmi i vetëm për normalizim të marrëdhënieve – pavarësisht që konsideroj që Brukseli nuk po tregon interesim edhe aq të madh sa  i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Kamberi duke iu drejtuar presidentit serb.

“Gjuha e urrejtjes dhe riciklimi i termeve të viteve të 90-ta nuk kanë vend në dialog. E kuptoj që Serbia mbron dhe përfaqëson interesat e saj, por duhet ta kuptoj se jeni duke diskutuar me njerëzit, të cilëve u janë vrarë familjarët nga njësiti paramilitar Akrepat. Sot duhet ta kuptoni që pavarësia e Kosovës është rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka shtuar Kamberi.

Madje sipas politikanit shqiptar, opinioni në Serbi duhet ta di se janë kryer vrasje mbi shqiptarët nga forcat serbe dhe se janë kryer sulme të organizuara mbi shqiptarët.

E kjo deklaratë e Shaip Kamberit duket se nuk i pëlqeu fare presidentit serb i cili replikoi duke pretenduar se kinse janë kryer vrasje edhe ndaj serbëve nga ana e shqiptarëve – duke tentuar ta zhvendos debatin në një nivel tjetër dhe duke vazhduar të flet për ecurinë e bisedimeve më Prishtinën zyrtare në Bruksel.