Kancelari gjerman Scholz kundërshton planin e Trumpit për Gazën

Kancelari gjerman Olaf Scholz kundërshtoi fuqishëm planin e presidentit amerikan Donald Trump për të “marrë nën kontroll” Rripin e Gazës dhe për të zhvendosur popullsinë e saj palestineze në vende të tjera të rajonit, transmeton Anadolu.

“E kundërshtoj plotësisht atë që presidenti Trump ka vënë në tryezë”, tha Scholz gjatë një aktiviteti fushate në Ludwigsburg.

“Popullsia e Gazës nuk duhet të vendoset në Egjipt dhe Jordani. Kjo nuk është e drejtë”, theksoi ai.

Scholz theksoi se përpjekjet duhet të përqendrohen në uljen e tensioneve aktuale dhe në ndjekjen e zgjidhjeve diplomatike për konfliktin izraelito-palestinez, që do të siguronin bashkëjetesën paqësore midis një shteti të ardhshëm palestinez dhe Izraelit.

Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj deklaratave të Trumpit gjatë një konference të përbashkët për shtyp të martën në mbrëmje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.

Trump tha se popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti, me SHBA-në që ta kthejnë enklavën palestineze në “rivierën e Lindjes së Mesme”.

Propozimi tërhoqi dënime të ashpra nga Palestina dhe u refuzua kategorikisht nga shumë vende, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Türkiyen, Spanjën, Francën, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Jordaninë.