Kandidatët për kancelar të Gjermanisë pajtohen për Evropë të fuqishme

Dy kandidatët që synojnë të zëvendësojnë Angela Merkelin për kancelar të Gjermanisë, kanë bërë thirrje për Bashkim Evropian më të fuqishëm, në debatin e fundit televiziv para zgjedhjeve që do të mbahen më 26 shtator.

Aleanca konservatore e Merkelit, Demokristiane/Kristian-Sociale (CDU/CSU) është prapa Social-Demokratëve të qendrës së majtë (SPD) në sondazhe, ndonëse dallimi është zvogëluar në ditët e fundit.

Në debatin e fundit televiziv më 23 shtator, të dy konkurrentët që duan ta zëvendësojnë Merkelin – Ministri i Financave dhe Zëvendës-kancelari, Olaf Scholz nga SPD dhe Armin Laschet nga CDU/CSU, kanë bërë thirrje për Evropë të fuqishme dhe sovrane.

“Neve na duhet më shumë Evropë, neve na duhet të flasim me një zë”, ka thënë Laschet, i cili është kryetar në landin North Rhine-Westphalia.
Scholz ka thënë se BE-ja duhet të jetë e bashkuar për të qenë relevante në skenën botërore dhe ka theksuar nevojën e bashkëpunimit me SHBA-në dhe NATO-n.

Ai ka thënë se nuk do të pajtohet me politikat radikale siç është largimi nga NATO-ja, si dhe është zotuar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje.

Annalena Baerbock, kandidate nga Partia e Gjelbër, ka bërë thirrje për politike të përbashkët të BE-së ndaj Kinës, “në mënyrë që të mos dalim kundër njëri-tjetrit”.

Ajo ka propozuar një kombinim të “dialogut” dhe “ashpërsisë” ndaj Pekinit.

Sondazhet kanë treguar se Baerbock ka përkrahje prej 16.5 për qind, duke i dhënë partisë së saj mundësi reale për t’u bërë partnere e koalicionit në qeverinë e ardhshme.

Sondazhet e televizionit ZDF, kanë treguar se Scholz ka përkrahje prej 25 për qind, derisa Laschet 23 për qind.

Merkel, e cila ka qenë në pushtet nga viti 2005, planifikon të mos jetë më pjesë e udhëheqësisë, ndonëse do ta mbajë pozitën e kancelares gjatë negociatave për koalicion. /rel