Kandidati demokrat në garën për Senatin në Michigan ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se ka ndikuar në vendimin e administratës së presidentit Donald Trumpit për përfshirjen në luftën me Iranin, transmeton Anadolu.
“Jemi në luftë me Iranin pjesërisht për shkak të përpjekjeve të kryeministrit izraelit”, ka thënë Abdul El-Sayed për Leland Vittert, drejtuesin kryesor të kanalit NewsNation në Washington, të martën, sipas një raportimi të publikuar të mërkurën nga The Hill.
“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje për këtë. Ai erdhi në Dhomën e Situatës dhe bëri thirrje për luftë, ndërsa tani ne po paguajmë … për të. Karburanti dhe ushqimet tona janë të papërballueshme dhe kjo vjen përveç miliarda dollarëve nga taksat që shpenzojmë duke dërguar paratë tona atje”, ka deklaruar ai.
– Lufta rrit shqetësimet për koston e jetesës
Lufta filloi më 28 shkurt me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit. Ajo ka vazhduar për më shumë se shtatë muaj, duke rritur çmimet globale të energjisë, ndërsa transporti tregtar i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është ndalur praktikisht.
El-Sayed ka theksuar se kundërshton shpenzimet e SHBA-së për operacionet ushtarake jashtë vendit, duke thënë: “Kam qenë më se jashtëzakonisht i qartë për këtë: Nuk dua që paratë e taksapaguesve tanë të përdoren për të subvencionuar luftërat jashtë vendit. Nuk dua që paratë e taksapaguesve tanë të përdoren për të financuar, pa kushte, ushtritë e huaja”.
Trump tha në qershor se Washingtoni, dhe jo Izraeli, po e drejtonte luftën. Netanyahu më vonë tha se Izraeli kishte “të drejtë të plotë për vetëmbrojtje” dhe se do ta “ushtronte këtë të drejtë sa herë që të ishte e nevojshme”.
Një sondazh i Shkollës Juridike të Universitetit Marquette në gusht tregoi se 75 për qind e të anketuarve besonin se operacionet ushtarake nuk “ia vlenin koston”. Kongresi ka miratuar që atëherë tri rezoluta të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të Senatit për kompetencat e luftës, duke kërkuar përfundimin e operacioneve ushtarake amerikane.
– Gara për Senatin në Michigan
El-Sayed, mjek dhe ish-drejtor i shëndetësisë në qarkun Wayne, i cili fitoi nominimin demokrat në gusht me mbështetjen e senatorit Bernie Sanders, do të përballet më 3 nëntor me ish-ligjvënësin republikan Mike Rogers për vendin e senatorit demokrat Gary Peters, i cili do të tërhiqet. Dy kandidatët do të përballen në një debat të enjten në Grand Rapids.
Rogers ka ndryshuar qëndrimin e tij për tarifat e Trumpit, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të mosmarrëveshjes tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë. El-Sayed e ka akuzuar rivalin e tij për “ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve”, duke shkruar në rrjetet sociale: “Donald është arsyeja pse jemi në një luftë tregtare. Dhe ai është arsyeja pse po kandidon”.
Sondazhet e fundit kanë treguar një diferencë të ngushtë mes kandidatëve.
– Trump mbështet Rogersin dhe sulmon El-Sayedin
Trump e mbështeti Rogersin të mërkurën, ndërsa sulmoi El-Sayedin, duke e cilësuar “ekstremist radikal” dhe “simpatizant të terroristëve”.
“Mohammed El-Sayed është kandidat i tmerrshëm për demokratët. Ndërsa rivali i tij, Mike Rogers, është jashtëzakonisht i mirë. Mohammedi kthehet në ditët e Xhihadit”, shkroi Trump në Truth Social.
Trump e quajti gjithashtu El-Sayedin “jo ndryshe nga miku i tij më i mirë, Hasan Piker, që urren Amerikën” dhe i dha Rogersit “mbështetjen e tij të plotë dhe totale”.


