Kandidati Republikan për President të Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha gjatë një konference bitcoin ditën e Shtune se Amerika duhet të dominojë këtë sektor ose për ndryshe Kina do ta bëjë.
Është sinjal i radhës nga ish-presidenti Amerikan se është i gatshëm të mbështesë kriptomonedhën të cilën Pekini e ka bllokuar dhe dikur e ka quajtur mashtrim.
Duke folur në konventën Bitcoin 2024 në Nashville, Trump u pozicionua si pro-kriptomonedhave përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit duke thënë se do ta bënte SHBA-në një lider botëror në kriptomonedha duke adoptuar ligje më miqësore ndaj tyre sesa kandidatja demokrate Kamala Harris.
Vetë Partia Republikane ka premtuar kontrollet më të lehta ndaj kriptomonedhave ndërsa Trump akuzoi Demokratët se janë përpjekur të rregullojnë sektorin.
“Nëse nuk e përqafojmë teknologjinë e bitcoin dhe kriptomonedhave, Kina do ta bëjë, vende të tjera do ta bëjnë. Ata do të dominojnë dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë. Deri në këtë pikë ata kanë bërë shumë progres,” tha Trump.
Kina ka goditur kriptomonedhat dhe aplikuar kontrolle të ashpra mbi lëvizjen e kapitali jashtë kufijve të saj. Por njerëzit ende mund të tregtojnë bitcoin në bursat e kriptomonedhave ndërsa investitorët Kinezë mund të hapin llogari bankare jashtë vendit për të blerë asetet në fjalë.
Trump tha se do të krijonte një këshill presidencial për kripmonedhat së bashku me një rezervë kombëtare të bitcoin duke përdorur ato sasi që SHBA-të kanë aktualisht në posedim dhe që janë konfiskuar nga agjencitë ligjzbatuese.
Madje ati tha se dëshiron të shikojë një zgjerim të aktivitetit të gërmimit të bitcoin në SHBA edhe pse ai e quajti një mashtrim në 2021.
