Katari apelon për dialog me talebanët në Afganistan

Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë angazhimin me qeverinë e përkohshme talebane në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke u adresuar në seancën e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Al Thani po ashtu bëri thirrje për ndarjen e ofrimit të ndihmës humanitare nga procesi politik në kombin e shkatërruar nga lufta, në Afganistan.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japë ndihmë Afganistanit dhe është e nevojshme të vazhdohet dialogu me talebanët”, tha Al Thani.

Emiri i Katarit tha se komuniteti ndërkombëtar ka një përgjegjësi për të punuar “në mënyrë sistematike dhe këmbëngulëse” për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse politike në Afganistan.

Katari luajti një rol të rëndësishëm në evakuimin e të huajve dhe afganëve nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul, së bashku me përpjekjet dhe ndihmën e vazhdueshme për popullin afgan.

Në 10 ditë në muajin gusht, talebanët njoftuan marrjen e kontrollit të Afganistanit paralelisht me tërheqjen e trupave amerikane nga vendi pas një pranie ushtarake 20-vjeçare. /aa