Poshtërim, tortura, dhe vrasje për ata që refuzojnë të derdhin gjak…
Katër ushtarë rusë që kanë braktisur frontin, kanë treguar për BBC-në brutalitetin ekstrem brenda ushtrisë së tyre në Ukrainë. Rrëfimet e tyre, ekzpozojnë një sistem ku ekzekutimi i ushtarëve nga vetë komandantët, është kthyer në një mjet të tmerrshëm disiplinimi.
Ushtarët përshkruajnë termin “zerim”- zhargon ushtarak për ekzekutimin e ushtarëve që refuzojnë urdhrat. Njëri prej tyre, Dima, tregon se pa komandantin e tij, Alexei Ksenofontov (i shpallur “Hero i Rusisë” në vitin 2024), të vriste një ushtar rus nga një distancë prej vetëm 2 metrash.
Një dëshmitar tjetër, Ilya, tregon se pa katër shokë të tij të qëlloheshin për vdekje sepse kishin ikur nga vija e frontit. Ai kujton britmat e njërit prej tyre: “Mos qëlloni, do të bëj çdo gjë!”, por komandanti i ekzekutoi gjithsesi.
Dokumentari përfshin edhe dëshminë e një oficeri të lartë të shtabit me 17 vite shërbim.
Ai tregon se ka biseduar me anëtarë të “skuadrave të likuidimit”, të cilat dërgoheshin posaçërisht për të vrarë çdo të mbijetuar pas sulmeve të dështuara. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë gjatë gjithë jetës time!”- thotë ai.
Dëshmitë tregojnë në detaje taktikën e “stuhive të mishit”, ku valë pas vale ushtarët dërgohen në misione vetëvrasëse. Denisi, një ushtar tjetër, shpjegon se komandantët hidheshin në luftë si “mish për top” mbi ukrainasit vetëm që atyre t’u mbaronin municionet dhe dronët.
Dima shton se regjimenti i tij u shkatërrua plotësisht brenda 3 ditësh, duke pësuar qindra të vdekur në përpjekjet për të thyer vijën e mbrojtjes ukrainase. Ata që refuzojnë sulmet përballen me trajtime çnjerëzore.
Ilya dëshmon se u lidh në një pemë, u rrah dhe u poshtërua seksualisht (komandantët urinuan mbi të) përpara se të dërgohej sërish në front. Denisi tregon se i thyen dhëmbët e parë sepse refuzoi të kërkonte një dron të zhdukur.
Ndërsa Dima, i cili u gradua oficer kundër dëshirës së tij, u arrestua dhe u dërgua në burgun e improvizuar në Zaitsevo. Ai rrëfen se u torturua me elektroshok çdo ditë për 72 ditë rresht, derisa humbi kontrollin mbi trupin e tij.
Edhe pse Moska pretendon se e trajton personelin me “kujdes maksimal”, shifrat e siguruara nga Britanisë së Madhe flasin për mbi 1.2 milion rusë të vrarë, të plagosur apo të zhdukur në 4 vite luftë.
Sot, këta burra jetojnë me trauma të thella jashtë Rusisë. Për ta, krimi i tyre i vetëm ishte dëshira për të mos vrarë dhe për të mos u bërë pjesë e një makinerie që asgjëson njerëzit e vet në emër të regjimit të Putinit. /tesheshi
