Katër diplomatë iranianë u vranë në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin libanez, Bejrut, tha ambasadori i Iranit në OKB, transmeton Anadolu.
Amir Saeid Iravani tha në një letër urgjente drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe presidentëve të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se diplomatët u vranë gjatë sulmit që goditi hotelin Ramada në Bejrut më 8 mars, sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim të Iranit.
Letra përshkruante incidentin si “një sulm terrorist i qëllimshëm” nga Izraeli, që rezultoi në vdekjen e katër diplomatëve.
Të dielën, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se katër persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në një sulm izraelit që goditi një apartament në hotelin Ramada në qendër të Bejrutit.
