Katër propozimet që Kurti paraqiti në Bruksel gjatë takimit me Vuçiqin

Kryeministri Albin Kurti, para gazetarëve ka dhënë detaje për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Në propozimin e parë Kurti tha se ka kërkuar që ‘gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në’.

Propozimi i dytë;

“Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”.

Propozimi i tretë;

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”.

Propozimi i katërt;

Kurti, në propozimin e katërt duke folur për të pagjeturit tha se ia ka përmendur Vuçiqit dy serbë Veljko Odaloviqin dhe Zoran Angjelkoviqin lidhur me njohuritë që këta dy kanë për personat e zhdukur me dhunë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Veljko Odaloviqi ka qenë udhëheqësi kryesor jugosllav në Kosovë pas vitit 1997, ndërkaq tani mban postin e Presidentit të Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Serbisë.

Kurse Zoran Angjelkoviq ka shërbyer si President i Këshillit Ekzekutiv të Përkohshëm për Kosovën nga viti 1998.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq”.

Kuri theksoi se për propozimin e tij të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan.