Ballina Lajmet Kosovë Katër vjet pas mandatit si ndërmjetës në dialog, Lajçaku caktohet ambasador i...

Katër vjet pas mandatit si ndërmjetës në dialog, Lajçaku caktohet ambasador i BE-së në Zvicër

Kanë kaluar saktësisht katër vjet, prej kur deri atëherë ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ishte emëruar në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, me mandat që të ndërmjetësojë në arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas disa zgjatjeve të mandatit Lajçak do të jetë në këtë post deri në fund të muajit gusht të këtij viti.

Koha mëson nga burimet diplomatike në BE se Lajçak tashmë e ka siguruar edhe postin e ardhshëm në diplomacinë e BE-së pasi është përzgjedhur të jetë ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër.
Sipas të njëjtave burime, Lajçak në Bern do të nisë mandatin me 1 shtator të këtij viti.

Lidhur me Kosovën edhe një emërim tjetër i rëndësishëm pritet nga BE-ja. Në vend të ambasadorit aktual të BE-së në Prishtinë, Tomas Sonyong, nga 1 shtatori do të jetë shefi i tashëm i përfaqësisë së Estonisë në BE, ambasadori Aivo Orav.

Në kuadër të një rotacioni të ardhshëm në postet kryesore diplomatike të BE-së që është në vazhdim e sipër, Orav është përzgjedhur të jetë përfaqësues i posaçëm i BE-së për Kosovën (EUSR) që është njëherësh edhe shef i zyrës së BE-së në Prishtinë.

Diplomati i lartë estonez ka një përvojë nga rajoni i Ballkanit por edhe nga BE-ja. Ai më herët ka shërbyer edhe si shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut si dhe shef i delegacionit të BE-së në Mal të Zi. Po ashtu ka qenë edhe Ambasador i vendit të tij në Turqi.

Njohuritë e tij për rajonin dhe në të njëjtën kohë edhe për proceset e brendshme në BE janë konsideruar si përparësi gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për postin e shefit të zyrës në Prishtinë.

Zyra e BE-së në Prishtinë dhe delegacioni në Sarajevë janë ndër më të mëdhatë që ka BE-ja në rajon dhe shefat e këtyre zyrave kanë rol të dyfishtë, edhe atë të shefit të zyrës edhe të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së (EUSR).

Sa i përket pasardhësit të Miroslav Lajçakut në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pritet që në BE për këtë të vendoset më vonë. Për këtë duhet të konsultohen edhe vendet anëtare pasi ato në fund duhet të aprovojnë emërimin e Përfaqësuesit të posaçëm për dialog. Po ashtu, sipas disa burimeve diplomatike, BE-ja duhet të sqarojë se si do t’i qaset procesit të dialogut në të ardhmen pasi ai proces, përkundër fjalëve pozitive që dëgjohen në BE, nuk ka shkuar sipas pritjeve.

Dhe kjo lidhet edhe me pikëpyetjen se kush do të jetë pasardhës i Josep Borrellit në postin e Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, nën autoritetin e të cilit do të jetë edhe procesi i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të rotacionit diplomati italian Luigi Soreca pritet të bëhet shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë. Soreca ka qenë ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Exit mobile version