Kazakistani do të amnistojë më shumë se 13 mijë të burgosur

Parlamenti i Kazakistanit me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë së vendit, miratoi projektligjin i cili parashikon shpalljen e amnistisë për 13.546 të burgosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me projektligjin e paraqitur për votim në një seancë javore në parlament nga ministri i Punëve të Brendshme të Kazakistanit, Erlan Turgymbaev, synohet amnistia për autorët e krimeve të lehta dhe uljen e afatit të dënimit për disa të dënuar për krime të rënda.

Sipas amnistisë, nga burgjet do të lirohen 2.236 të dënuar si dhe 11.310 të dënuar të tjerë do të hiqen nga lista e lirimit me kusht. Në këtë mënyrë gjithsej 13.546 persona në vend do të përfitojnë nga amnistia e përgjithshme.

Në fazën e parë parashikohet të lirohen 1.000 të burgosur, përfshirë të moshuarit, personat nën 18-vjeç dhe persona në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara të grupit të parë dhe të dytë.

– “Amnistia është një akt mëshire”

Kryetari i Parlamentit të Kazakistanit, Nurlan Nigmatulin në një deklaratë lidhur me çështjen njoftoi se ligji në fjalë është përgatitur nga presidenti Kassym-Jomart Tokayev, me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë.

Ai tha se fillimisht do të amnistohen të dënuarit që nuk përbëjnë kërcënim për shoqërinë dhe sigurinë e shtetit. “Të gjithë përvjetorët e pavarësisë së vendit tonë, janë një shenjë manifestimi e qëllimit të mirë në emër të shtetit. Amnistia është një akt mëshire. Është një akt i madh humanizmi ndaj qytetarëve që kanë shkelur ligjin”, tha Nigmatulin. /aa