Kazakistani ndërmerr hapa për zhvillimin e energjisë bërthamore

Kreu i Departamentit të Energjisë Bërthamore, Kasenov tha se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për zhvillimin e energjisë bërthamore në këtë vend

Në Kazakistan kanë nisur kërkimet për zhvillimin e energjisë bërthamore në vend, i cili renditet i pari në botë për sa i përket prodhimit të uraniumit të papërpunuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Departamentit të Energjisë Bërthamore dhe Industrisë në Ministrinë e Energjisë së Kazakistanit, Jaslan Kasenov në një deklaratë tha se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për zhvillimin e energjisë bërthamore në këtë vend.

“Kazakistani po kryen kërkime mbi zhvillimin e energjisë bërthamore, duke marrë parasysh kushtet natyrore dhe klimatike dhe ndikimin e tyre në mjedis”, tha Kasenov.

Ai theksoi se gjashtë kompani globale, furnizues të reaktorëve, vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive për testimin e teknologjive të tyre në këtë fushë.

Kasenov shtoi se testet kryhen në përputhje me kriteret e sigurisë, referencat e reaktorëve, kapacitetin dhe kostot e termocentraleve bërthamore.

Po ashtu kujtoi se Kazakistani renditet i pari në botë në prodhimin e uraniumit të papërpunuar.

“Ne i kemi të gjitha mundësitë për të zhvilluar energjinë bërthamore në vend. Përveç prodhimit tonë të karburantit bërthamor, ne kemi qasje në shërbimet e pasurimit të izotopeve të uraniumit”, tha Kasenov.

Duke theksuar se ka krizë energjetike në botë dhe rajon, Kasenov tha se termocentralet bërthamore aktualisht funksionojnë në 31 shtete. /aa