Ballina Lajmet Kosovë KEK njofton se për shkak të disa problemeve njësia A4 do të...

KEK njofton se për shkak të disa problemeve njësia A4 do të ndalet së operuari pas mesnatës

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se njësia A4 në TC Kosova A pritet të ndalet në mënyrë të kontrolluar sonte rreth orës 00:00, pas paraqitjes së problemeve në kondensator.

Sipas KEK-ut, pas vlerësimeve profesionale, është konstatuar se vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha.

“Për këtë arsye, ndalja është një masë e domosdoshme parandaluese, me qëllim të ruajtjes së integritetit të njësisë dhe evitimit të defekteve serioze. Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Më tej thuhet se aktualisht, KEK është duke operuar me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B si dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve në dispozicion.

Në të njëjtën kohë, KEK rikujton se është në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese – investimet më të mëdha që nga fillimi i operimit të termocentraleve.

“Në kuadër të këtyre investimeve: Njësia B1 është në proces modernizimi (turbina dhe elektrofiltra); Njësia A5 ndodhet në remont kapital; ndërhyrje të tilla kërkojnë në raste të caktuara ndalje të përkohshme, si pjesë e një procesi të domosdoshëm për përmirësim afatgjatë”, njofton kjo korporatë.

Në fund, thuhet se KEK mbetet i përkushtuar për furnizim të qëndrueshëm me energji, duke ndërmarrë njëkohësisht investime strategjike që garantojnë siguri dhe efikasitet më të lartë për të ardhmen energjetike të vendit.

Exit mobile version