Kenia, 2,1 milionë njerëz përballen me urinë

Thatësira me të cilën është përballur Kenia pas pushtimit të karkalecave dhe përmbytjeve, ka vendosur përballë me rrezikun e urisë 2,1 milionë njerëz në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Miliona njerëz që jetojnë në toka të thata dhe gjysmë të thata përballen me krizën e ushqimit, ndërsa qindra mijëra fëmijë dhe dhjetëra mijëra gra shtatzëna dhe gra që ushqejnë me gji fëmijët e tyre kanë filluar të përjetojnë probleme shëndetësore për shkak të ushqyerjes së pamjaftueshme.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), numri i njerëzve që kanë nevojë urgjente për ushqim, që nga shkurti e deri më tani është rritur në 70 për qind dhe arriti në 2,1 milionë. Krahas 523 mijë fëmijëve edhe 96 mijë gra shtatzëna dhe gra që ushqejnë me gji fëmijët e tyre kanë nevojë për trajtim për shkak të kequshqyerjes.

Burimet e ushqimit dhe ujit shfaqën mangësi në tokat e thata dhe gjysmë të thata për shkak të normës së pakët të shirave të cilat priteshin në muajt tetor-dhjetor të vitit të kaluar dhe në muajt mars-maj të këtij viti.

Deri më tani në më shumë se 20 rajone administrative në vend është shpallur katastrofë kombëtare dhe në 12 rajone është dhënë alarm për thatësirën.

Ndërkohë për shkak të burimeve të ujit kanë filluar të vërehen edhe konflikte mes disa komuniteteve që jetojnë në toka të thata dhe që merren me bujqësi.

Problemi aktual i ushqimit pritet të rritet edhe më shumë me ndikimin e thatësirës në rajonet veriore dhe lindore të vendit i cili në vitet e fundit përballet me pushtimin më të madh të karkalecave në historinë e tij.

– Deri në fillim të 2022 nuk pritet përmirësim

Peter Abwao, zëdhënësi i Kryqit të Kuq të Kenias në një vlerësim për gazetarin e AA-së lidhur me përjetimet në rajonet e thatësirës tha se situata aktuale e thatësirës ka prekur 2,1 milionë njerëz, por që situata do të përkeqësohet edhe më tej nëse nuk vijnë shirat e pritur.

“Situata është shumë e keqe kryesisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna. Nuk ka pasur shira të mjaftueshëm në periudhat e mëparshme dhe nuk janë kryer të korrura për shkak të pushtimit të karkalecave. Bashkë me thatësirën ndodhemi përballë një krize të madhe ushqimore”, deklaroi Abwao.

Ekspertët parashikojnë se nuk do të ketë shira të mjaftueshëm njoftoi Abwao, duke theksuar se në këtë situatë nuk presin ndonjë përmirësim lidhur me krizën deri në fillim të 2022.

– “Kafshët po ngordhin një e nga një”

Abwao tha se njerëzit që jetojnë në kufirin e vendit me Somalinë dhe Etiopinë sigurojnë jetesën me blegtorinë, por kafshët po ngordhin një e nga një. “Ashtu si nuk mund të marrin qumësht prej tyre ata nuk kanë edhe çfarë të shesin”, theksoi Abwao.

Ai tha se nuk kanë informacion të qartë se njerëzit kanë filluar të vdesin nga uria, ashtu siç paraqitet në shtyp. Abwao u shpreh se kanë siguruar për popullatën ushqime dhe ujë dhe se presin mbështetje edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Ai theksoi se deri në fund të vitit nuk presin që në rajonet e thata të kryhet prodhim i ushqimit.

– Kërcënimi i sëmundjeve në rritje

Ndërsa një tjetër problem që vjen bashkë me thatësirën janë sëmundjet. Përtej përkeqësimit të kushteve higjienike, në rajonet e thata janë në rritje infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes së sipërme.

Për shkak të korrjes së pakët çmimet e ushqimeve në qytete janë rritur, ndërkohë që Departamenti i Meteorologjisë së Kenias ka njoftuar se presin që të jenë nën mesatare edhe shirat mes muajve tetor-dhjetor që është periudha e tretë e vitit për shirat. /aa