Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 22 kryesues, të cilët dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjakovë, pas dyshimeve se gjatë zgjedhjeve për deputetë të Kuvendit të Kosovës ka pasur manipulime të rezultateve të votimit brenda subjekteve politike.
Në kuadër të hetimeve, janë intervistuar 22 kryesues, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e sanksionuar me nenin 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjithë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre është paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.
