Këshilli i Sigurimit i OKB-së u bën thirrje palëve ndërluftuese në Etiopi të arrijnë armëpushim

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) u bëri thirrje palëve ndërluftuese të Etiopisë që të ndalojnë të gjitha armiqësitë dhe të kthehen në negociata për të ndërmjetësuar një armëpushim, duke shprehur “shqetësim serioz” për pasojat e konfliktit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i Sigurimit paralajmëroi veçanërisht për pasojat e konfliktit për stabilitetin e Etiopisë dhe Afrikës Lindore, duke u kërkuar të gjitha palëve që të përmbahen nga “gjuha nxitëse e urrejtjes dhe nxitja e dhunës dhe përçarjes”.

Përveç një “armëpushimi të qëndrueshëm”, negociatat duhet gjithashtu të trajtojnë “krijimin e kushteve për fillimin e një dialogu kombëtar gjithëpërfshirës etiopian për të zgjidhur krizën dhe për të krijuar themelin për paqen dhe stabilitetin në të gjithë vendin”, thauhet në deklaratën e këshillit.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare, për qasje të sigurt dhe të papenguar humanitar, rivendosjen e shërbimeve publike, si dhe kërkuan rritjen e mëtejshme të ndihmës humanitare”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit rikonfirmuan angazhimin e tyre të fuqishëm për sovranitetin, pavarësinë politike, integritetin territorial dhe unitetin e Etiopisë.

Aktiviteti i shtuar diplomatik vjen teksa rebelët Tigray të Etiopisë bëjnë përparime të mëdha në fushën e betejës kundër forcave qeveritare, duke marrë më shumë territor, teksa i afrohen kryeqytetit Addis Abeba dhe arrijnë aleanca me grupe të tjera të armatosura.

Frontit Popullor Çlirimtar Tigray (TPLF) dhe Ushtria Çlirimtare Oromo-Shene (OLA-Shene) raportohet se u bashkuan me shtatë grupe të tjera për të shpallur një front të bashkuar kundër qeverisë qendrore të udhëhequr nga kryeministri Abiy Ahmed.

Parlamenti 547 anëtarësh i Etiopisë u takua të enjten dhe miratoi me një votë pothuajse unanime një gjendje të jashtëzakonshme gjashtëmujore mbarëkombëtare të shpallur të martën nga Këshilli i Ministrave.

Një hetim i përbashkët OKB-Etiopi i publikuar këtë javë zbuloi prova të vrasjeve dhe ekzekutimeve të paligjshme ose jashtëgjyqësore, torturave dhe ndalimeve arbitrare të përhapura, rrëmbimeve dhe zhdukjeve me forcë nga të dyja palët.

Michelle Bachelet, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, tha më tej se “një numër i madh i shkeljeve” janë të lidhura me forcat etiopiane dhe aleatët e tyre nga Eritrea.

Raporti alarmues u zbulua pasi konflikti në Tigray hyri në vitin e dytë këtë javë pa asnjë shenjë të përfundimit në horizont. /aa