Këshilli i Sigurimit i OKB-së zgjat mandatin e misionit në Afganistan

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) zgjati njëzëri mandatin për misionin e ndihmës në Afganistan për gjashtë muaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta u miratua me 15 vota pro dhe asnjë kundër mbajtjes së Misionit të Asistencës të OKB-së në Afganistan (UNAMA) deri më 17 mars 2022. Kjo ndodh në kohën kur talebanët kanë marrë kontrollin në vendin e shkatërruar nga lufta dhe të gjitha forcat e huaja ushtarake kanë braktisur vendin.

Rezoluta u bën thirrje “të gjitha palëve afgane dhe ndërkombëtare të jenë në koordinim me UNAMA-në në zbatimin e mandatit të saj dhe të garantojnë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së Kombeve të Bashkuara dhe personelit të saj në të gjithë vendin”.

Rezoluta i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, t’i raportojë KS-OKB-së deri në fund të janarit të vitit 2022 “mbi rekomandimet strategjike dhe operacionale për mandatin e UNAMA-s, në dritën e zhvillimeve të fundit politike, të sigurisë dhe shoqërisë”, si dhe kërkon që Guterres të informojë këshillin çdo muajin tjetër mbi situatën në Afganistan.

Organizata Human Rights Watch përshëndeti zgjatjen e mandatit, por tha se UNAMA “duhet të jetë në Afganistan pafundësisht, duke monitoruar dhe hetuar abuzimet e pretenduara”.

“Ka pak dëshmi që sugjerojnë se talebanët do të respektojnë ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e grave dhe vajzave”, tha në një deklaratë Louis Charbonneau, drejtori i grupit të të drejtave të njeriut në OKB.

“UNAMA do të duhet të raportojë rregullisht dhe publikisht për abuzimet, përderisa ndihmon në plotësimin e nevojave humanitare të popullit afgan”, shtoi ai. /aa