Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i përmes një komunikate ka reaguar pas aksionit të Policisë në veri të vendit, ku u arrestuan disa persona që dyshohet se kanë të bëjnë me vrasjen e Oliver Ivanoviq më 16 janar të këtij viti.
KFOR-i thekson se aksioni i Policisë nuk përbën asnjë veprim të paligjshëm dhe se nuk ka pasur ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve, raporton lajmi.net.
Sipas KFOR-it, ajo që ka ndodhur ishte vetëm një operacion i Policisë dhe jo ndonjë aksion i FSK-së, ose ndonjë force tjetër ushtarake.
Siç thuhet në reagim, situata në terren është e qëndrueshme dhe nën kontroll.“Nuk kishte asnjë veprim të paligjshëm dhe nuk ka pasur ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve. KFOR konfirmon se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe jo ndonjë aksion i Forcave të Sigurisë së Kosovës ose ndonjë force tjetër ushtarake. Situata në terren mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndonëse KFOR-i është i vetëdijshëm se ka rritje të tensioneve në nivel politik për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike.
Për shkak të ndjeshmërisë aktuale politike, komandanti i KFOR-it i fton të gjitha palët t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës apo dhunës. Sidoqoftë, KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të ruajë prezencën e saj në terren, me shpresën se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje”, thuhet në reagim.Theksojmë, se përveq arrestimeve, Policia e Kosovës konfiskoi dhe mjete të ndryshme në aksionin e saj, duke përfshirë, armë, dronë, dhe substance narkotike.
