Kiev – Presidenca: Do të çmontojmë çdo strukturë pro ruse

Mykhailo Podolyak

Ukraina do të vazhdojë të çmontojë çdo grup pro rus, tha të dielen presidenca ukrainase duke reaguar ndaj një deklarate nga Londra që akuzonte Moskën se kërkon të instalojë një udhëheqës pro rus në Kiev.

”Shteti ynë do të vazhdojë politikën e tij të çmontimit të çdo strukture oligarkike dhe politike që mund të punojë për të destabilizuar Ukrainën ose të jetë bashkëpunëtor me pushtuesit rusë”, deklaroi Mykhailo Podoliak, këshilltar i kreut të administratës presidenciale të Ukrainës.

Ministria e Jashtme britanike njoftoi të shtunën se Kremlini nuk po shqyrton vetëm një inkursion ushtarak në Ukrainë, por edhe “pushtim” sipas rregullave duke instaluar në qeverinë e Kievit një pro rus.

Kandidati për kryeministër i Moskës në ish-republikën fqinje sovjetike është ish-deputeti ukrainas, Yevhen Murayev.

Ministria e Jashtme Britanike gjithashtu pretendon se ka informacion në lidhje me kontaktet ndërmjet shërbimeve sekrete ruse dhe katër personalitete të tjera politike të Kievit, ish-kryeministri Mykola Azarov, ish-zëvendëskryeministrat, Serhiy Arbuzov dhe Andriy Kluyev, si edhe ish-zëvendësshefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vladimir Sivkovich, të cilët kanë qenë të gjithë në detyrë në kohën e presidentit të konsideruar pro rus, Viktor Yanukovych, i rrëzuar nga pushteti në vitin 2014.

Plani i dyshuar i Moskës për vendosjen e një lideri pro rus në Kiev është shqetësues, deklaroi Emily J. Horne, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Në komunikatën e rastit thuhet se kryeministri i ardhshëm i vendit mund të ishte ish-deputeti ukrainas Yevhen Murayev, i cili konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.

”Ky lloj konspiracioni është shumë shqetësues. Populli ukrainas ka të drejtën sovrane për të përcaktuar të ardhmen e tij dhe SHBA rithekson se qëndron në anën e aleatëve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, theksoi Horne. /atsh