Kim Jong Un premton mbështetje të palëkundur për Rusinë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u zotua se vendi i tij do të “mbështesë pa asnjë ndryshim” luftën e Rusisë në Ukrainë, njoftoi media shtetërore verikoreane të shtunën, raporton AP. 

Një delegacion ushtarak rus i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov mbërriti në Korenë e Veriut të premten, mes shqetësimeve në rritje ndërkombëtare për zgjerimin e bashkëpunimit të dy vendeve pas vendimit për të dërguar mijëra trupa në Rusi muajin e kaluar.

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA), Kim dhe Belousov arritën “një konsensus të kënaqshëm” për një numër çështjesh kyçe.

Kim tha se Koreja e Veriut “do të mbështesë pa ndryshim politikën e Federatës Ruse për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial nga lëvizjet e imperialistëve për hegjemoninë”.