Kina të hënën i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) të anulojnë “masat e njëanshme tarifore” të vendosura ndaj partnerëve të saj tregtarë pas një vendimi të Gjykatës Supreme të SHBA-së që rrëzoi tarifat e shumta të vendosura nga Presidenti Donald Trump, transmeton Anadolu.
Sipas raportimit të medias shtetërore Global Times, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës ka theksuar se Pekini ka kundërshtuar vazhdimisht rritjet e njëanshme të tarifave dhe ka pohuar se nuk ka fitues në një luftë tregtare.
“Masat e njëanshme të marra nga SHBA-ja, duke përfshirë tarifat reciproke dhe tarifat e lidhura me fentanilin, jo vetëm që shkelin rregullat ndërkombëtare të tregtisë dhe ekonomisë, por edhe bien ndesh me ligjin e brendshëm të SHBA-së dhe nuk i shërbejnë interesave të asnjë pale”, tha zëdhënësi.
Ministria shtoi se përvoja e kaluar tregon se bashkëpunimi midis Kinës dhe SHBA-së u sjell dobi të dy vendeve, ndërsa konfrontimi i dëmton të dyja.
“Ne gjithashtu kemi vërejtur se SHBA-ja po përgatitet të miratojë masa alternative, të tilla si hetimet tregtare, në një përpjekje për të ruajtur tarifat ndaj partnerëve të saj tregtarë. Kina do t’i monitorojë nga afër këto zhvillime dhe do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime”, tha zëdhënësi.
Gjykata Supreme e SHBA-së javën e kaluar vendosi që tarifat reciproke, tarifat që lidhen me fentanilin dhe detyrimet e tjera të lidhura me to të vendosura sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës ishin të paligjshme.
