Kërkesa e SHBA-së që Venezuela të formojë një “partneritet ekskluziv” në sektorin e naftës është një akt “tipik ngacmimi” dhe një shkelje e sovranitetit të kombit latino-amerikan, si dhe e ligjit ndërkombëtar, tha Kina të mërkurën, transmeton Anadolu.
“Venezuela është një shtet sovran dhe ka sovranitet të plotë dhe të përhershëm mbi burimet e saj të naftës dhe aktivitetet ekonomike”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
Deklarata e Pekinit erdhi ndërsa ABC News raportoi se administrata Trump i ka thënë poresidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se “duhet të përmbushë kërkesat e Shtëpisë së Bardhë”, duke përfshirë që Karakasi “duhet të bie dakord të partnerizohet ekskluzivisht me SHBA-në në prodhimin e naftës dhe të favorizojë Amerikën kur shet naftë të rëndë bruto”.
Raporti shtoi se Washingtoni ka kërkuar që Karakasi “duhet të përjashtojë Kinën, Rusinë, Iranin dhe Kubën dhe të shkëpusë lidhjet ekonomike”.
“Përdorimi flagrant i forcës nga SHBA-ja kundër Venezuelës dhe kërkesa që vendi të favorizojë Amerikën kur merret me burimet e veta të naftës është një akt tipik ngacmimi, që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Venezuelës”, tha Mao, duke shtuar se “Kina e dënon këtë”.
“Më lejoni të theksoj se Kina dhe vendet e tjera kanë të drejta legjitime në Venezuelë, të cilat duhet të mbrohen”, tha Mao.
Ajo tha se paktet e bashkëpunimit midis Pekinit dhe Karakasit janë nënshkruar midis dy “shteteve sovrane dhe mbrohen” nga ligji vendas dhe ndërkombëtar.
Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Venezuelës pas SHBA-së, dhe vëllimi aktual dypalësh është rreth 7 miliardë dollarë.
“E ashtuquajtura kërkesë e SHBA-së është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Venezuelës”, theksoi Mao.
Ajo shtoi se SHBA-të kanë “abuzuar prej kohësh me sanksionet e paligjshme dhe të njëanshme” kundër Venezuelës, duke shkaktuar “dëm të madh në zhvillimin ekonomik dhe social”.
Veçmas, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se administrata Rodriguez ka rënë dakord të transferojë midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar në SHBA për shitje me çmimin e tregut.
Forcat amerikane nisën sulme ajrore të gjera të shtunën në mëngjes në objektiva në Venezuelën veriore, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturën e komunikimit, ndërsa forcat e operacioneve speciale kryen një bastisje në kryeqytetin Karakas për të kapur presidentin e vendit Nicolas Maduro dhe zonjën e parë Cilia Flores.
Gjatë seancës së parë dëgjimore në gjyqin e tyre për akuza që lidhen me drogën dhe armët, si Maduro ashtu edhe Flores deklaruan se nuk janë fajtorë për akuzat.
Administrata Trump e ka paraqitur operacionin si pjesë të një zbatimi të ringjallur të Doktrinës Monroe dhe një goditjeje ndaj trafikut të dyshuar të drogës dhe korrupsionit, ndërsa e lidh atë në mënyrë të qartë me sigurimin e ndikimit të SHBA-së mbi rezervat e mëdha të naftës të Venezuelës.
