Kina reagon ndaj deklaratave të Presidentit Joe Biden për Tajvanin: S’bëjmë kompromis me asnjë vend

Wang Wenbin

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, ritheksoi gjatë një konference për shtyp se Tajvani është territor i vendit të tij.

Kohët e fundit, Pekini ka shtuar kërcënimet e tij për të marrë kontrollin e Tajvanit me forcë, nëse paraqitet nevoja, duke çuar avionë luftarakë pranë Ishullit dhe duke bërë manovra zbarkimi në plazh.

“Kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me sovranitetin, integritetin territorial dhe interesat e tjera thelbësore të Kinës, ne s’bëjmë kompromis ose lëshime për asnjë vend dhe askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e fortë, vullnetin e hekurt dhe aftësitë e fuqishme të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integriteti territorial”, theksoi Wang Wenbin.

“Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Çështja e Tajvanit është thjesht një çështje e brendshme e Kinës, e cila nuk lejon asnjë ndërhyrje të huaj”, shtoi ai.

Vlerësimet e Presidentit Biden të enjten, gjatë një forumi të televizionit “CNN”, u konsideruan si thellim i “paqartësisë strategjike” të Uashingtonit në lidhje me mënyrën se si do t’i përgjigjej një sulmi ndaj republikës ishullore të vetëqeverisur.

“Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të kujdesshme me fjalët dhe veprimet e tyre për çështjen e Tajvanit dhe të mos dërgojnë asnjë sinjal të gabuar për forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit, në mënyrë që të mos dëmtojnë seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe paqen e stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”, potencoi zëdhënësi Wang duke i bërë thirrje administratës amerikane që t’i përmbahet parimit “një Kinë”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të drejtpërdrejtë të moderatorit Anderson Cooper në forumin e CNN-it, nëse SHBA-ja do t’i dilte në mbrojtje Tajvanit në rast sulmi, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Unë thjesht dua që Pekini ta kuptojë se nuk do të zmbrapsemi dhe nuk kemi për ta ndryshuar këndvështrimin tonë. Sigurisht që do ta mbrojmë. Ne e kemi premtuar këtë gjë.”

Lideri amerikan, pasi vuri në pah se ai takohej shpesh me homologun kinez, Xi Jinping, vlerësoi gjithashtu se “SHBA-ja nuk kërkon një luftë të ftohtë me Kinën”.

Kurse një zëdhënës i Presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-wen, ndër figurat më të rëndësishme që mbështesin pavarësinë e Ishullit, bëri me dije nga kryeqyteti Taipei se SHBA-ja e ka demonstruar mbështetjen e saj për Tajvanin përmes veprimeve konkrete dhe se 23 milionë qytetarët e ishullit nuk do t’i dorëzohen presionit dhe as nuk do të nguten për të vepruar. /trt