Kina shpreh mbështetje për Serbinë në përleshjet në Kosovë, ku po përfshihen trupat e NATO-s

Kina shprehu të martën mbështetjen e saj për përpjekjet e Serbisë për të “mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial” pas dhunës që rifilloi midis serbëve etnikë dhe trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, njofton Associates Press.

Partia Komuniste në pushtet e Kinës ka qenë prej kohësh një kritike e aleancës së NATO-s, që rrjedh pjesërisht nga bombardimi i ambasadës së Pekinit në Beograd gjatë fushatës ajrore të vitit 1999 për t’i dhënë fund goditjes brutale të Serbisë ndaj separatistëve shqiptarë etnikë në Kosovë, sipas AP.

Bombardimi, në të cilin u vranë tre gazetarë kinezë, është përdorur prej kohësh nga Pekini për të mobilizuar ndjenjat antiperëndimore. SHBA-ja kërkoi falje për sulmin, duke fajësuar inteligjencën e gabuar. Misionet e saj diplomatike në Pekin dhe qytete të tjera kineze u sulmuan për pasojë, duke i vendosur lidhjet në një trajektore negative që është tensionuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit.

Kina, së bashku me Rusinë dhe Serbinë, nuk e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning të martën fajësoi për dhunën, mosrespektimin e të drejtave politike serbe.

“Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës”, tha Mao në një konferencë të përditshme për shtyp, duke iu referuar qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

Pavarësisht se serbët i bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale dhe kërkonin të pengonin kryetarët shqiptarë etnikë të merrnin detyrën, Mao tha se serbëve duhet t’u jepet kontrolli mbi komunat ku ata përbëjnë shumicën.

Dhuna u ndez kur serbët u përpoqën të merrnin zyrat e një prej komunave në veri të Kosovës ku kryetarët shqiptarë morën postet e tyre javën e kaluar. Të paktën 30 trupa nga forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, u plagosën të hënën.

“Ne i bëjmë thirrje NATO-s që të respektojë me zell sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve përkatëse dhe të bëjë me të vërtetë atë që është e favorshme për paqen rajonale”, tha Mao.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç pritej të takohej me ambasadorin rus dhe kinez në një përpjekje për të treguar se ka mbështetje për politikat e tij.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në vitin 1999 përfundimisht e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori, por mosmarrëveshja mbetet një pikë e ndezur për konflikt në Evropën Lindore.

Aleatja e rusëve, Serbia, vitin e kaluar mori në dorëzim një sistem të sofistikuar kundërajror kinez në një operacion të mbuluar, mes shqetësimeve ngaPerëndimi se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon. /syri