Kina ul normat e interesit ndërkohë që rritja ekonomike ngadalësohet

Kina ka ulur papritur një normë bazë të interesit për herë të parë në pothuajse dy vjet, pasi shifrat zyrtare treguan se rritja e saj ekonomike ishte ngadalësuar.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 4% për tre muajt e fundit të vitit 2021 krahasuar me një vit më parë, tha Byroja Kombëtare e Statistikave.

Kjo rritje ishte më e mirë nga ajo që kishin parashikuar shumica e ekonomistëve, por ishte shumë më e ulët se tremujori i kaluar.

Gjithashtu, rritja e shitjeve me pakicë për muajin dhjetor ra në 1.7%.

Për të gjithi vitin, të dhënat zyrtare treguan se ekonomia e Kinës u rrit me 8.1%, shifër kjo që tejkaloi parashikimet e ekonomistëve dhe ishte shumë më e lartë se objektivi vjetor i Pekinit prej “mbi 6%”.

Megjithatë, disa ekonomistë theksuan se të dhënat e rritjes, e cila ishte më e ngadalta në një vit e gjysmë, ende nuk kanë marrë në konsideratë efektin e rritjeve të fundit të rasteve të koronavirusit.

“Shifra e PBB-së nuk pasqyroi ndikimin e përhapjes së variantit Omicron që nga fundi i dhjetorit, ndikim që pritet të godasë ndjeshëm industrinë e shërbimeve, veçanërisht konsumin dhe transportin”, tha Yue Su nga Njësia e Inteligjencës e The Economist.

Për të ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike, Banka Popullore e Kinës (BPK) tha se do të ulte normën e interesit për 700 miliardë juanë (110 miliardë dollarë) të kredive afatmesme njëvjeçare të huadhënies, duke e ҫuar atë në 2.85%. Kjo është ulja e parë e tillë që nga prilli i vitit 2020.

Gjithashtu, u ul edhe një indikator tjetër i huadhënies nga BPK, norma e anasjelltë e riblerjes me maturim shtatë ditë. Banka ndërkohë injektoi 200 miliardë juanë në sistemin financiar.

Këto lëvizjet e dallojnë Kinën akoma më shumë nga bankat e tjera qendrore më të rëndësishme në mbarë botën.

Rezerva Federale e SHBA ka sinjalizuar se planifikon të rrisë normën e interesit me tre herë gjatë këtij viti.

Nga ana tjetër, në Mbretërinë e Bashkuar, Banka e Anglisë rriti normën e interesit muajin e kaluar për herë të parë në më shumë se tre vite, në përgjigje të kërkesave për të trajtuar rritjen e konsiderueshme të çmimeve.

Perspektiva ekonomike e Kinës është vënë në rrezik nga shqetësimet në rritje në lidhje me efektet e masave rregullatore të Pekinit për bizneset, me shëndetin financiar të disa prej firmave më të mëdha në vend të pasurive të paluajtshme, si dhe me përhapjen e variantit Omicron të Covid-19. /monitor