Kiran: Islamofobia është në rritje, veçanërisht në Evropë

Turqi: Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Javuz Selim Këran (Yavuz Selim Kıran) mori pjesë në panelin “Racizmi, luftërat kulturore dhe polarizimi i politikës globale”, organizuar online në forumin “TRT World Forum-2021”.

“Ne po shikojmë me shqetësim polarizimin në rritje në gjeografinë tonë dhe më gjerë. Politikanët populistë dhe media po ushqejnë – me dashje apo pa dashje – diskriminimin dhe racizmin”, nënvizoi Këran, i cili tha se“ islamofobia është një nga fenomenet më të përhapura të racizmit dhe ksenofobisë në ditët e sotme”.

Zëvendësministri theksoi se raportet e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Këshillit të Evropës konfirmojnë se islamofobia është bërë një kërcënim i përhapur në shkallë globale.

“Islamofobia ka kohë që është në rritje, veçanërisht në Evropë”,- u shpreh Këran, ndërsa theksoi se retorika antiislame po dëmton perceptimin evropian dhe marrëdhëniet e Evropës me botën myslimane.

“Përpjekja e Turqisë kundër islamofobisë dhe racizmit ka një reflektim të drejtpërdrejtë tek 6,5 milionë bashkatdhetarët e saj jashtë vendit. Ne jemi pionierë brenda Këshillit të Evropës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe OKB-së në luftën kundër islamofobisë dhe të gjitha formave të diskriminimit”, shtoi ai.

Diplomati turk saktësoi se kërcënimet që nxisin polarizimin dhe diskriminimin nuk mund të injorohen më dhe se këto kërcënime kërkojnë veprime urgjente në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. /trt