Kirurgu i supsenduar në Pejë dyshohet se kishte ngacmuar seksualisht praktikanten për një kohë të gjatë

Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës ka suspenduar kirurgun N.B nën dyshimin për ngacmim seksual.

N.B në vazhdimësi kishte ngacmuar S.M, praktikante në Spitalin e Pejës duke i dërguar mesazhe në telefon me përmbajtje ngacmimi, njofton Klan Kosova.

Ai ka filluar ta ngacmojë praktikanten që nga gushti i vitit 2018.

Rastin për Klan Kosovën e ka konfirmuar zyrtari për informim dhe monitorimin e mediave në Prokurorinë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Me datën 3 shtator të vitit 2018, i pandehuri i shkruan edhe një letër me përmbajtje ngacmuese të cilën ja kishte dhënë dëshmitares A.K, për t’ia dërguar të dëmtuarës S.M., dhe pasi që kjo e fundit e kishte lexuar të njëjtën e kishte grisur, ndërsa me vonë e kishte raportuar rastin në polici”, tha Nikçi.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Spitali të Pejës, Naim Sahiti, ka thënë për Klan Kosovën se kirurgu është supsenduar nga puna sipas ligjit dhe do të marrë 50 për qind të pagës.