Kisha Ortodokse Greke e Kudsit: Shoqata hebreje na i sekuestroi pronat në mënyrë të paligjshme

Patrikana Ortodokse Greke e Kudsit reagoi ndaj vendimit të gjykatës izraelite në favor të shoqatës hebreje fanatike Ateret Cohanim, duke e cilësuar atë “kundër ligjit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Gjykatën e Lartë të Izraelit, u zhvillua një seancë apeli për çështjen e vitit 2017 në lidhje me sekuestrimin e pronës së Kishës Ortodokse Greke të Kudsit nga shoqata Ateret Cohanim në rrethin Bab al-Khalil të Kudsit Lindor.

Patrikana Ortodokse Greke e Kudsit lëshoi një deklaratë me shkrim lidhur me vendimin e dhënë në favor të shoqatës Ateret Cohanim.

“Ky vendim është dhënë pavarësisht gjithë përpjekjes gjyqësore të patrikanës në 17 vitet e fundit. Është kundër drejtësisë që shoqatat kolone dhe mbështetësit e tyre të sekuestrojnë në mënyrë jashtëligjore dhe të paarsyeshme njërën nga pikat më të rëndësishme të ekzistencës së Islamit dhe Krishterimit në Kuds, që është në pronësi ortodokse”, thuhet në njoftim.

Patrikana tërhoqi vëmendjen se kanë marrë iniciativa në fusha të ndryshme, duke përfshirë median, ligjin dhe diplomacinë për të parandaluar kolonët hebre të sekuestrojnë pronat që i përkasin tyre, por se “për shkak të presionit të shoqatave cioniste nuk kanë arritur sukses”.

Një pjesë e Hotelit Petra, që është në pronësi të Patrikanës Greke Ortodokse në Kuds dhe përdorej për pelegrinët krishterë, më 27 mars ishte sekuestruar nga kolonët hebre.

Shoqata Ateret Cohanim që menaxhohet nga hebrenjtë fanatikë, shpesh i çon palestinezët në gjykatë, duke pretenduar se shtëpitë ku palestinezët kanë jetuar për breza në Kudsin Lindor janë në pronësi të hebrenjve.

Gjykatat izraelite, nga ana tjetër, duke vendosur në favor të Ateret Cohanim, legjitimon pushtimin dhe vendbanimin e paligjshëm. /aa