Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thotë se ka goditur burimet që...

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thotë se ka goditur burimet që mbështesin përpjekjet luftarake të Huthive

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështet qeverinë e Jemenit, tha të martën se ka kryer një “operacion të posaçëm ushtarak” për të neutralizuar burimet jetike që mbështesin përpjekjet luftarake të grupit Huthi, transmeton Anadolu.

Komanda e Forcave të Përbashkëta të koalicionit ka konstatuar se Huthit “po përdorin objekte civile dhe burime jetike për të mbështetur aktivitetet e tyre ushtarake”, thuhet në një deklaratë të koalicionit.

Sipas deklaratës, objektivat përfshinin objektin qendror Al-Sabaha në Sana, depot nëntokësore të karburantit rezervë, rezervuarët e karburantit dhe vendankorimet e përdorura për transportin dhe shkarkimin e karburantit në Hudejdah, Sana dhe Dhamar.

Huthit “po i përdornin këto burime për të mbështetur drejtpërdrejt operacionet e tyre ushtarake, duke i privuar njëkohësisht jemenasit nga furnizimet që duhet të plotësojnë nevojat e tyre”, tha koalicioni.

Ai e akuzoi grupin se i përdorte këto objekte për të furnizuar arsenalin e tij të raketave dhe dronëve, të cilin e cilësoi si kërcënim për Arabinë Saudite, aeroportet, portet dhe anijet tregtare në Detin e Kuq.

Në deklaratë u shtua se kjo mbështetje kishte kontribuuar në sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile, si dhe në përgatitjet për sulme të afërta ndaj objektivave civile në Arabinë Saudite dhe anijeve tregtare në rrugët ujore ndërkombëtare.

Operacioni u përqendrua në “neutralizimin e kapaciteteve të milicisë Huthi” që përdoren për të kërcënuar Arabinë Saudite, Jemenin, pjesën jugore të Detit të Kuq dhe rrugët detare, thuhet në deklaratë.

Koalicioni tha se forcat e tij kanë respektuar “rreptësisht të drejtën ndërkombëtare humanitare” dhe kanë marrë masat e mundshme paraprake gjatë planifikimit dhe zbatimit të operacionit, me qëllim shmangien e viktimave civile apo dëmeve të paqëllimshme.

Ai kërkoi që Huthit të ndalojnë “menjëherë” sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile, përfshirë aeroportet, portet, objektet e naftës dhe infrastrukturën.

Grupi Huthi nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje.