Kolona ushtarake ruse shihet duke u nisur drejt rajonit Donbas të Ukrainës

Kolona me afro 200 automjete ushtarake u pa pranë vendbanimit Kuibyshevo në rajonin e Rostovit të Rusisë teksa po përparonte drejt kufirit me rajonin e Donbasit

Një kolonë ushtarake ruse u pa duke lëvizur drejt rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Kolona me afro 200 automjete ushtarake u pa pranë vendbanimit Kuibyshevo në rajonin e Rostovit të Rusisë teksa po përparonte drejt kufirit me rajonin e Donbasit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba përmes Twitter-it u shpreh: “Raporte shqetësuese nga Krimea për të gjithë turnin e natës të fabrikës kimike Titan në Armyansk të evakuuar nga objekti”.

“Kjo mund të jetë një përgatitje për një tjetër provokim të organizuar nga Rusia. Moska duket se nuk ka kufij në përpjekjet për të falsifikuar pretekste për agresion të mëtejshëm”, shtoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të hënën se Moska njeh dy rajone separatiste ukrainase, Luhansk dhe Donetsk, si shtete të pavarura, ndërsa më pas paralajmëroi dërgimin e forcave ruse atje për të “ruajtur paqen”.

Njoftimet shkaktuan një dënim të gjerë global si shkelje të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar, ndërsa vendet perëndimore njoftuan sanksione të reja ndaj Rusisë.

Në vitin 2014, pasi pushtoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka mbajtur gjatë shtatë viteve të fundit. Sipas OKB-së, konflikti ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 13.000 personave.

Veprimet e fundit të Putinit vijnë pasi Rusia ka grumbulluar më shumë se 100.000 trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth fqinjit të saj, ndërsa SHBA dhe vendet perëndimore e akuzojnë atë se ka krijuar terrenin për një pushtim.

Rusia ka mohuar se po përgatit një pushtim dhe në vend të kësaj pretendoi se vendet perëndimore rrezikuan sigurinë e saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve rusë. /aa