Komisioni Evropian jep 1.2 miliardë euro ndihmë për Ukrainën

Komisioni Evropian njoftoi të hënën miratimin e një pakete ndihmash për Ukrainën, që parashikon hua financiare për të mbështetur vendin në një plan afatmesëm dhe afatgjatë.

Paketa konsiston në një mbështetje makro-financiare prej 1.2 miliardë eurosh. Për presidenten Von der Leyen, paketa do të ndihmojë Ukrainën në plotësimin e nevojave që rrjedhin nga situata konfliktuale me Rusinë dhe në përpjekjet e saj për rimëkëmbjen ekonomike.

“Që prej 2014-s, BE dhe institucionet financiare evropiane kanë alokuar mbi 17 miliardë euro në hua dhe grante për Ukrainën. Ai është një vend i lirë dhe sovran, që i bën vet zgjedhjet dhe BE i qëndron pranë”, tha Von der Leyen

Ndërkohë, NATO deklaroi po të hënën se po vendos në gatishmëri më shumë trupa dhe po dërgon më shumë avionë dhe luftanije në lindje të Evropës, pasi Irlanda paralajmëroi se lojërat e luftës nga Rusia në brigjet e saj nuk janë të mirëpritura.

“Bëhet fjalë për ujëra ndërkombëtare, por edhe për një zonë ekskluzive ekonomike të Irlandës. Ne nuk kemi forcën për ta parandaluar këtë, por ia kam bërë të qartë ambasadorit rus në Irlandë se nuk është një veprim i mirëpritur dhe se nuk është momenti për rritjen e aktivitetit ushtarak për shkak të asaj që po ndodh në Ukrainë”, u shpreh Simon Coveney, ministër i Jashtëm i Irlandës.

Më herët, Britania njoftoi tërheqjen e një pjese të diplomatëve dhe punonjësve nga ambasada e saj në Kiev. Ministria e Jashtme njoftoi se shkak ishte bërë kërcënimi në rritje nga Rusia. /euronews