Ballina Lajmet Kosovë Konstituimi i Kuvendit, Osmani pritet t’i dorëzojë komentet Gjykatës Kushtetuese deri nesër

Konstituimi i Kuvendit, Osmani pritet t’i dorëzojë komentet Gjykatës Kushtetuese deri nesër

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit për vendosjen e masës së përkohshme deri më 30 shtator, Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se komentet lidhur me meritat e rastit do t’i dorëzohen Gjykatës brenda afatit të përcaktuar, konkretisht më 9 shtator.

Këshilltari për media i zyrës së presidentes, Bekim Kupina për Telegrafin ka thënë se Osmani ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të vazhdueshëm ‘se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin’.

“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, ka thënë Kupina.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025.

Exit mobile version