Udhëheqësi i partisë në pushtet në Korenë e Jugut, Han Dong-hoon, njoftoi dorëheqjen e tij pas vendimit të Asamblesë Kombëtare për të shkarkuar presidentin Yoon Suk Yeol për shpalljen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor, transmeton Anadolu.
Kreu i Partisë së Pushtetit Popullor gjatë një konference për media tha se ai nuk mund të vazhdonte më të kryente detyrën e tij për shkak të presionit nga Këshilli i Lartë i partisë, njoftoi Agjencia e Lajmeve Yonhap.
Dorëheqja e tij vjen pasi të shtunën Asambleja Kombëtare miratoi një mocion për shkarkim të presidentit Yoon me 204 vota pro dhe 85 kundër.
Mocioni thoshte se deklarimi i ligjit ushtarak i Yoon ishte jokushtetues.
Asambleja Kombëtare me 300 vende, ku blloku i opozitës ka 192 vende, kërkoi mbështetjen nga të paktën tetë ligjvënës të partisë në pushtet për të arritur shumicën e kualifikuar, të nevojshme për miratimin e mocionit.
