Kosova dhe Serbia takohen sot në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve

Sot pritet të zhvillohet takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ky takim nuk do të jetë i nivelit të lartë politik por në të do të marrin pjesë nga Kosova zëvendës kryeministri Besnik Bislimi delegacioni nga pala serbe do të jetë i udhëhequr nga Petar Petkoviq.

Takimi sotëm mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, do të jetë i pari, prej takimit që zhvilluan më 15 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më herët, takime të tilla quheshin takime të nivelit teknik, por tani në BE pohojnë se të gjitha takimet janë të karakterit politik.

“Gjithçka në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thellësisht politike, asgjë nuk është teknike”, shkroi në Twitter, Lajçak, njofton Telegrafi.

Takimi midis delegacionit të Kosovës dhe Serbisë do të shërbejë për të përgatitur takimin e ri ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit që pritet të mbahet në fund të korrikut.

Shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq ka paralajmëruar se gjatë bisedimeve do të flasë për moszbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Bashkimin Evropian vazhdojnë ta përsërisin qëndrimin se marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të zbatohen, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë, BE-ja pret që Kosova të dalë me një propozim se si do të zbatohej kjo marrëveshje, pasi me një vendim të mëhershëm të Kuvendit të Kosovës, kjo marrëveshje është marrë përsipër si obligim ndërkombëtar. Por, Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar zbatimin e saj, duke thënë se në Kosovë nuk do të ketë asociacion njëetnik.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.