Përplasja e kryeministrit me Uashingtonin dhe roli i Vjosa Osmanit si e besuara e Shtëpisë së Bardhë
Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të katërta parlamentare në shtatë vite. Këtë herë, timonierja e krizës është Presidentja Vjosa Osmani. Vendimi i saj për të shpërndarë Kuvendin, pas dështimit për të zgjedhur pasardhësin, ka tronditur skenën politike.
Ky akt shënon një thyerje të qartë dhe ngre pikëpyetje të forta mbi motivet e vërteta që fshihen pas dekretit të saj. Në Prishtinë po qarkullojnë dy skenarë të nxehtë. I pari është ai i një vendimi egoist: e gjendur përballë faktit se nuk po preferohej për një mandat të dytë, Osmani zgjodhi “butonin e kuq”.
Duke e çuar vendin në zgjedhje, ajo ndëshkon klasën politike që nuk ia garantoi qëndrimin në majën e kupolës së shtetit. Megjithatë, skenari i dytë është edhe më intrigues: a po ndihen pas këtij dekreti pëshpërimat e Uashingtonit?
Nuk është tashmë ndonjë sekret që SHBA-ja e sheh Albin Kurtin si një partner “kokëfortë” që sfidon agjendat e saj rajonale. Ndërkohë, Vjosa Osmani, e vlerësuar nga administrata Trump dhe aktive në Bordin e Paqes të ngritur prej tij, shihet si e besuara e Shtëpisë së Bardhë.
Ky divorc i heshtur mes Uashingtonit dhe Kryeministrisë në Prishtinë ngre pikëpyetjen: a është ky dekret pjesë e një operacioni më të gjerë për të tentuar sërish rrëzimin e Kurtit përmes kutive të votimit?
Lëvizja e Osmanit për të kërkuar zgjedhjen e presidentit direkt nga populli është një manovër politike dinake. Ajo kërkon një legjitimitet që nuk varet më nga humori i deputetëve apo numrat e Vetëvendosjes.
Nëse kjo reformë do të miratohet nga parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet, ajo shndërrohet në polin e vetëm të fuqishëm që mund të balancojë Kurtin, duke shërbyer si “garante” e interesave amerikane në vend.
Gjithsesi, rreziqet e këtyre lojërave politike janë të larta. Krizat e shpeshta në kohë paqëndrueshmërie globale mund ta lënë Kosovën pa një orientim dhe drejtim të qartë. Pra, beteja e ardhshme elektorale nuk do të jetë thjesht për ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Ajo do të përcaktojë nëse Kosova do të ndjekë sovranizmin sfidues të Kurtit apo do të kthehet te partneriteti i blinduar me SHBA-në që përfaqëson Osmani. Intriga sapo ka filluar dhe pyetja kryesore është: A do t’ia dalë Uashingtoni këtë herë ta “zbusë” Prishtinën zyrtare? /teshesh
