Kosova e nis mbarë, merr një pikë të rëndësishme ndaj Azerbajxhanit në Baku

Kombëtarja e Kosovës ka marrë pikën e parë në ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve.

‘Dardanët’ kanë luajtur barazim 0-0 ndaj Azerbajxhanit në Baku, në ndeshjen e vlefshme për grupin 3 në Ligën D.Pjesa e parë nisi me një ritëm të ngadaltë nga të dy skuadrat, me Kosovën që me një përqindje pak më të lartë zotronte posedimin e topit.

Madje Kosovës në këtë pjesë iu treguan edhe mundësitë më të mira të shënimit.

Një prej rasteve që vlen të ceket, erdhi në minutën e 30’ të ndeshjes, kur Arbër Zeneli ishte në një pozitë të favorshme por që nuk arriti ta godiste topin shkaku i intervenimit të mbrojtës vendase.Dy mundësi tjera për ‘Dardanët’ u panë edhe në fund të pjesës së parë, kur provoi me Celinën dhe Muriqin, por pa sukses.

Të dy kombëtaret shkuan në pushimin e pjesës së parë pa gola.Starti i pjesës së dytë ishte më i mirë për ekipin e Azerbajxhanit, që për disa minuta arriti ta mbante në mbrojtje Kosovën, duke i vënë në vështirësi jo pak herë.Kjo shtyu trajnerin Bernard Challandes që të bëjë dy zëvendësime, duke inkuadruar Rashicën dhe Avdijajn, në vend të Zhegrovës dhe Celinës.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, Azerbajxhani vazhdoi të dominonte ndeshjen, po pa arritur të bëjë më shumë.Në fund, Azerbajxhan 0-0 Kosova.Ndeshjen e radhës Kosova e luan më 10 shtator në ‘Fadil Vokrri’ kundër Ishujve Faroe.