Kosova e nis për mrekulli në Ligën e Kombeve, fitore në udhëtim te Qipro falë dy golave të jashtëzakonshëm

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur për mrekulli kampanjën e re në Ligën e Kombeve, asi kanë marrë fitore në udhëtim te Qipro 0-2.

Pjesa e parë i ka takuar vendasve që krijuan më shumë raste shënimi dhe u treguan shumë të rrezikshëm.

Vendasit rrezikuan në pjesën e parë me Kastanos, Tzionis e Sotiro, por që fatmirësisht porta e Arijanet Muric mbeti e paprekur.

Raste të mira shënimi për Dardanët patën edhe Valon Berisha e Edon Zhegrova, por goditja e të parit shkoi jashtë, derisa ajo e prishtinasit u prit nga portieri vendas.

Kësisoj 45 minutat e para të kësaj ndeshje u mbyllën ashtu siç filluan me rezultat të bardhë 0-0.

Pjesa e dytë i takoi tërësisht futbollistëve tanë që dominuan nga minuta e 46-të deri në fund të saj.

Në minutën e 65-të të ndeshjes, Valon Berisha realizoi një gol fantastik nga distanca pas asistimit nga Vedat Muriqi për 0-1.

Edhe pas golit të parë, Kosova pati rast të mirë, por që goditja e Amir Rrahmanit u ndal nga shtylla.

Goli i sigurisë për Dardanët erdhi në minutën e 78-të, kur Edon Zhegrova realizoi një gol të jashtëzakonshëm pas asistimit nga Florian Loshaj.

Deri në fund të ndeshjes gola më nuk pati dhe Kosova mori tri pikët e para në Ligën e Kombeve.

Dardanët tani janë lider në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve me tri pikë, derisa ndeshjen e radhës e presin Greqinë të dielën në ‘Fadil Vokrri’.