Kosova kërkon informacione nga Serbia pas raportimeve për vdekjen e një mërgimtari në aksident

Një mërgimtarë ka ndërruar jetë pas një aksidenti trafiku në Serbi, teksa kthehej nga Kosova në drejtim të Austrisë. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila ka njoftuar se do të kërkojë informacione nga autoritetet zyrtare pas raportimeve për vdekjen e një mërgimtari në një aksident trafiku në Serbi. Po ashtu në njoftimin e MPJ thuhet se akoma s’kanë marrë asnjë informatë zyrtare. “Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, deri më tani nuk ka pranuar asnjë informacion zyrtar nga autoritetet atje, në lidhje me aksidentin, rrethanat në të cilat ka ndodhur, dhe as me prejardhjen apo përkatësinë e personave të aksidentuar. Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar ndonjë informacion për aksidentin në fjalë, nga familjarët e të aksidentuarve në Kosovë dhe as nga ndonjë palë tjetër e involvuar. Pavarësisht, Ministria e Punëve të Jashtme do t’i kërkojë informacion dhe evidencë të plotë autoriteteve serbe, në lidhje me rrethanat në të cilat ka ndodhur ky aksident. Në emër të Ministrit Pacolli, familjarëve i shprehim pikëllimin e thellë dhe solidaritetin tonë të plotë për humbjen e jetës së mërgimtarit”, thuhet në njoftim të MPJ-së.