Ballina Lajmet Kosovë Kosova me numër më të lartë të aksidenteve rrugore, Shqipëria me numër...

Kosova me numër më të lartë të aksidenteve rrugore, Shqipëria me numër më të lartë të vdekjeve

Në krahasim me Maqedoninë dhe Shqipërinë, numri i aksidenteve rrugore në Kosovë gjatë vitit 2017 ishte më i lartë me gjithsej 6.512 aksidente të regjistruara, duke u ndjekur nga Maqedonia me 4.019 dhe nga Shqipëria me 1.978 aksidente rrugore, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të AA-së të siguruara nga institucionet zyrtare të tre vendeve fqinje të Ballkanit, në vitin që lam pas si pasojë e aksidenteve rrugore në Shqipëri humbën jetën 222 persona, në Maqedoni 155 person, ndërsa në Kosovë 137 persona.

Sipas informacione të marra nga Policia e Kosovës, vendi ku dhe janë regjistruar më shumë aksidente, 137 personat humbën jetën në 122 aksidente rrugore ndërsa 12.645 persona pësuan lëndime në gjithsej 6.390 aksidente të tjera.

Duke marrë parasysh aksidentet së bashku me dëmet, thonë të dhënat e policisë kosovare, gjatë vitit 2017 janë regjistruar 17.695 raste, numër i cili është më i ulët në krahasim me vitin 2016 kur u regjistruan plotë 18.541 raste.

Një ndër shkaqet më të shpeshta të aksidenteve, policia e këtij vendi e konsideron pakujdesinë, mospërshtatjen e shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe anashkalimin apo tejkalimin e parregullt.

Maqedoni: 2017-ta me numër më të madh të aksidenteve krahasuar me 2016-ën

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë bën të ditur se në këtë vend nga gjithsej 4.019 aksidentet e regjistruara, përveç 122 aksidenteve ku humbën jetën 155 persona, në 3.882 aksidente të tjera u lënduan 6.224 persona.

Shkaku i aksidenteve të trafikut, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit të kaluar në shumicën e rasteve gabimet ishin të drejtuesit të makinës, edhe atë në gjithsej 3.918 raste ndërsa në 101 raste shkaku i aksidentit ishte faji i këmbësorëve.

Shkaqet më të shpeshta të aksidenteve të trafikut në Maqedoni janë shpejtësia, mosmbajtja e anës së duhur dhe drejtimit të lëvizjes, sjellja e pahijshme në komunikacion si dhe ngasja e makinës nën ndikimin e alkoolit

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme, në vitin 2017 kanë ndodhur më shumë aksidente në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2016 u regjistruan 115 aksidente më shumë krahasuar me vitin 2017, përkatësisht 3.904 aksidente, prej të cilave 165 me vdekje dhe 5.971 me lëndime.

Në Shqipëri numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup moshat 25-35 vjeç –

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), Shqipëria me gjithsej 1.978 aksidente të regjistruara dhe 222 jetë të humbura, krahasuar me vitin 2016 ka shënuar një ulje të aksidenteve prej 2,7 për qind, vit në të cilin u regjistruan 2.509 aksidente. Në vitin 2016, numri i të vdekurve poashtu ishte 47 më shumë se në vitin 2017, përkatësisht 269 të vdekur.

Të dhënat nga INSTAT thonë se numri i personave të plagosur nga gjithsej aksidentet rrugore të regjistruara në vitin 2017 është 2.389.

INSTAT thekson se në vitin 2017 shkaqet më të shpeshta të aksidenteve kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, edhe atë 81,3 për qind nga numri i përgjithshëm i aksidenteve. Ndërsa, numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç.

Shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore në Shqipëri janë mos respektimi i shpejtësisë, mos respektimi i sinjalistikës rrugore nga drejtuesit e automjeteve si dhe konsumimi i pijeve alkoolike.

Exit mobile version