Kosova po kthehet në vend prodhues të drogave, qindra kilogramë dhe mijëra bimë kanabisi të sekuestruara për pak muaj

Ditë më parë, Policia e Kosovës realizoi një operacion nga ku u sekuestruan 93 kilogramë substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Plani i realizuar nga Policia e Kosovës, saktësisht Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren rezultoi me ndalimin e një automjeti në fshatin Tupec të Prizrenit, që po drejtohej nga një mashkull shtetas i Shqipërisë.

Gjatë zhvillimit të procedurave, janë gjetur dhe sekuestruar 181 paketime me substancë të dyshuar narkotike, saktësisht 93 kilogramë marihuanë.

E me datë 1 qershor, Policia e Kosovës realizoi po ashtu një operacion tjetër që rezultoi me sekuestrimin e rreth 18 kilogramëve narkotikë të llojit marihuanë.

Marihuana u sekuestrua saktësisht në rrethrrotullimin hyrje-dalje në Prizren, ku u ndaluan dy vetura të dyshimta, ndërsa gjatë kontrollit gjatë kontrollimit të tyre janë gjetur : 1 qese e plastikës, 1 valixhe me 36 paketime substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë gjithsej rreth 18 kg. Ndërsa më 3 qershor një aksion tjetër policor u zhvillua në rajonin e Prishtinës, ku u sekuestruan rreth 93 kilogramë substancë e dyshimtë narkotike e llojit marihuanë.

E në bazë ta raportimeve të këtyre rasteve duket qartë se Njësia Anti-drogë, e Policisë së Kosovës ka në fokus të veçantë sekuestrimin e vazhdueshëm të narkotikëve të cilat gjenden në territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Policinë e Kosovës nga ku është bërë e ditur se gjatë vitit të kaluar ishin zhvilluar gjithsej 406 operacione dhe 679 bastisje që lidheshin me narkotikët.

Ndërsa brenda muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës zhvilloi 107 operacione dhe 204 bastisje.

Vetëm brenda katër mujorit të parë të vitit 2022, Policia e Kosovës ka konfiskuar lloje të shumta të narkotikëve, në mesin e tyre edhe ato me rrezikshmëri shumë të lartë, siç është heroina.

191 kilogramë e 805.3 gramë substancë narkotike e llojit heroinë, u konfiskuan nga muaji janar deri më 23 maj 2022.

“Viti 2022 rezulton me konfiskim te substancave me te rëndësishme:

191 kg 805 .3 gr substancë narkotike heroinë ,

278 kg 901 gr substancë narkotike marihuanë

3 kg 079.61 gr substance narkotike kokainë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Gjithashtu, Policia ka arritur që të hetojë dhe më pas të bëjë konfiskimin e 13 mijë e 492 bimëve kanabis sativa.

“44.92 gr fara kanabisi, 18.81 gr ekstazi, 4 ml metadon, 131 gr substanca të tjera”, u tha tutje nga Policia e Kosovës.

E sipas të njëjtëve, substancat më të shpeshta të cilat janë konfiskuar gjatë kësaj periudhe janë: Marihuanë, heroinë, bimë kanabisi dhe kokainë.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Qendrën Mediko-Psikotepeutikre “Labirint”, nga ku është theksuar se nga të dhënat të cilat ata posedojnë në Kosovë janë rreth 35 mijë përdorues të drogave të ndryshme.

9 mijë nga këta përdorues janë të varur nga lloje të shumta të drogës.

“Në bazë të punës sonë në teren dhe databazës sonë, mendojmë se në Kosovë janë rreth 30,000 deri në 35,000 përdorues të drogave të ndryshme, prej tyre rreth 8000-9000 përdorues të varur”, u tha në përgjigjen e Labirint.

Sipas të njëjtës qendër, që nga paslufta ka patur në vazhdimësi rritje të numrit të përdoruesve të drogave.

E qytetet me më së shumti përdorues të drogave janë: Prishtina, Prizreni dhe Gjilani.

“Në vazhdimësi prej nga paslufta numri i përdoruesve të drogave çdo vit është rritur, ndërsa sa i përket qytetit të Gjilanit në bazë të databazës është qyteti i tretë me numrin e përdoruesve, pas Prishtinës dhe Prizrenit”, tha Muharrem Ademi nga “Labirint”.

E sa i përket shërbimeve të cilat iu ofrohen përdoruesve të drogave në kuadër të mjekimit që iu duhet nga “Labirint” kanë theksuar se ata ofrojnë shërbime për këtë kategori kryesisht në tri qendra, Prizren, Prishtinë dhe Gjilan.

“Kryesisht merremi ne si Labirint, në tri qendra, Prishtinë, Prizren dhe Gjilan por gjithashtu edhe në spitalet regjionale ku ofrohen shërbime në repartet psikiatrike”, u theksua tutje.