Ballina Sport Futboll KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të Arena-s që shfaqën spotin kërcënues në...

KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të Arena-s që shfaqën spotin kërcënues në serbisht

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka kërkuar nga operatorët e shpërndarjes që të ndalojë transmetimin e kanaleve të Arena-s.

Kjo masë do të vlejë deri në një vendim tjetër të KPM-së.

Vendimi i KPM sipas kryetarit të Komisionit, Jeton Mehmeti është marrë pasi Kanalet e Arena-s kanë transmetuar përmbajtje që janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së.

“Është fjala për transmetim të videomesazheve që vinë nga Serbia që kanë përmbajtje me tekst që glorifikojnë sulmin në veri dhe përmbajnë mesazhe kërcënuese për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, këto janë në kundërshtim me nenin 19 të rregullores të KPM-së.

“Veprimi i menjëhershëm është që pas gjetjeve që ato janë transmetuar, që menjëherë të ndalojmë transmetimet e Arena-s për shkak se një mesazh i tillë është në kundërshtim me rregulloren dhe cenon sigurinë në vend”, ka thënë Mehmeti

Kjo është mbështetur edhe nga anëtarët e tjerë të KPM-së të cilët e kanë cilësuar si shqetësuese dhe shkelje të rëndë transmetimin e mesazheve të tilla.

Arena sport ritransmetohet nga operatorët kabllorë Artmotion, IPKO, Kujtesa, Telkos dhe MTS.

Në këto kanale disa herë është transmetuar një videospot kërcënues ku në gjuhën serbe shkruan “Pamticemo”, që në shqip do të thotë “do të mbajmë në mend”, duke glorifikuar tre sulmuesit e vrarë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, të cilët ishin pjesë e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës, me ç’rast u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas KPM-së tashmë është ndalur transmetimi i kanaleve të Arena-s në këta operatorë kabllorë.

Exit mobile version