Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kremlini: Ndalimi i kanalit televiziv rus në Gjermani “shkelje e lirisë së...

Kremlini: Ndalimi i kanalit televiziv rus në Gjermani “shkelje e lirisë së fjalës”

Kremlini e ka quajtur sot “shkelje të lirisë së fjalës” ndalimin e kanalit televiziv rus në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska ndien keqardhje për vendimin e autoriteteve gjermane për ndalimin e transmetimit të RT Deutsch (RT DE).

“Situata është absolutisht e qartë, mediat ruse, madje do të thosha, në Gjermani është ndaluar transmetimi i mediave ndërkombëtare. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një cenim i lirisë së fjalës”, tha Peskov.

Në një deklaratë të veçantë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova premtoi se do të shpallë masat reciproke më vonë të enjten.

Ajo shprehu revoltën nga qëndrimi i përfaqësueses për lirinë e mediave të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).

Sipas saj, Teresa Ribeiro nuk pa “asgjë” në ndalimin e RT në Gjermani që mund t’i interesonte përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e medias.

Megjithatë, Zakharova pret që Ribeiro të mund të kritikojë masat reciproke të Rusisë.

“Atëherë do të jetë dyfish e pafalshme që Ribeiro të flasë për masat hakmarrëse ruse që do të shpallin sot. Së pari, ato janë reciproke. Së dyti, kur keni gënjyer një herë, kush do t’ju besojë”, tha ajo.

Rregullatori gjerman i medias të mërkurën e ndaloi transmetimin e RT Deutsch në vend, për shkak të mungesës së licencës së vlefshme për të operuar në Gjermani.

Sipas një deklarate nga rregullatori, kanali as nuk e ka marrë dhe as nuk e ka kërkuar këtë leje, ndërsa autoritetet i kërkuan RT DE të ndalojë transmetimin e tij në Gjermani nëpërmjet satelitit, transmetimit të drejtpërdrejt në internet dhe aplikacioneve celulare TV. /aa

Exit mobile version