Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Izraelit, Mossad, David Barnea, mbështet ushtrinë izraelite për të vazhduar sulmet e saj në Rripin e Gazës pas fazës së parë të marrëveshjes së mundshme të shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushimit me Hamasin, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të gazetës izraelite “Haaretz”, Barnea mori pjesë në kabinetin e sigurisë, i cili u mblodh mbrëmë për të diskutuar mbi fazën aktuale të negociatave për shkëmbimin e të burgosurve. Barnea i informoi ministrat në takim për pikën më të fundit të arritur në negociatat për shkëmbimin e të burgosurve.
Drejtori i Mossad-it, ashtu si kryeministri Benjamin Netanyahu, argumentoi se ushtria izraelite duhet të rifillojë sulmet e saj në Gaza pas fazës së parë të marrëveshjes së mundshme të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve. Ai pohoi se sulmet në rritje në Gaza ditët e fundit “kanë dhënë kontribut pozitiv” në negociatat e shkëmbimit të të burgosurve.
Në deklaratën e tij më 7 korrik, Netanyahu argumentoi se marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që do të arrihet në Gaza “duhet të garantojë të drejtën e Izraelit për të sulmuar sërish Gazën derisa të arrihen qëllimet e luftës”.
Propozimi i marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, i cili negociohet në mënyrë indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, përbëhet nga tre faza.
Faza e parë; armëpushimi i menjëhershëm, lirimi i grave, të burgosurve të moshuar dhe të plagosur, shkëmbimi i të burgosurve palestinezë, tërheqja e forcave izraelite nga zonat e banuara në Gaza, shtimi i ndihmës humanitare, rindërtimi i shërbimeve bazë, kthimi i civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre në të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë veriun e Gazës. Parashikohet që komuniteti ndërkombëtar të japë kontributin e nevojshëm për strehim.
Negociatat për fazën e parë do të vazhdojnë deri në përfundimin e negociatave për armëpushimin nëse zgjasin më shumë se 6 javë. Pas marrëveshjes së palëve, në fazën e dytë kërkohet të lirohen të gjithë robërit e mbetur dhe Izraeli të tërhiqet nga Gaza për t’i dhënë fund krizës njëherë e mirë.
Në fazën e tretë është planifikuar të nisë një plan rindërtimi për Rripin e Gazës që do të zgjasë disa vite dhe të dorëzohen trupat e të burgosurve të vdekur.
